Fërkime mes Macron dhe Melonit në samitin e Tiranës, kryeministrja italiane përjashtohet nga takimi i vendeve “të gatshme” për Ukrainën
Në samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Europian (KPE) në Tiranë, tensionet mes presidentit francez Emmanuel Macron dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni kanë dalë sërish në pah, pasi kjo e fundit u përjashtua nga takimi i vendeve “të gatshme” për Ukrainën, të njohur si “Koalicioni i të Vullnetshmëve”.
Sipas mediave italiane, liderët e Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Polonisë dhe Gjermanisë u takuan në margjinat e samitit pa Melonin, e cila nuk ishte e pranishme në samitin e fundit në Kiev, duke marrë pjesë vetëm përmes lidhjes video. Kjo mungesë ka shkaktuar tensione mes liderëve, veçanërisht pas komenteve të Melonit në Tiranë, ku ajo theksoi se Italia nuk është e gatshme të dërgojë trupa në Ukrainë.
“Plaga që lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës i ka shkaktuar sistemit ndërkombëtar të bazuar në rregulla vazhdon të prodhojë efekte destabilizuese. Për këtë arsye, ne duhet të këmbëngulim për një armëpushim pa kushte dhe një marrëveshje të vërtetë paqeje,” tha Meloni në fjalimin e saj në samit.
Pas raportimeve për përjashtimin e Italisë nga takimi, Meloni thirri një konferencë të shkurtër për shtyp, ku sqaroi se Italia nuk ka qenë kurrë e gatshme të dërgojë trupa në Ukrainë, duke theksuar se ky qëndrim është deklaruar prej kohësh.
Nga ana tjetër, presidenti Macron mohoi se diskutimet mes liderëve të vendeve “të gatshme” përfshinin dërgimin e trupave, duke e cilësuar deklaratën e Melonit si një keqinterpretim.
“Unë mendoj se ka një keqinterpretim. Diskutimi që kemi pasur ishte për të arritur një armëpushim në Ukrainë, nuk u diskutua për dërgimin e trupave, as të shtunën e kaluar në Kiev dhe as sot,” tha Macron, duke theksuar se bisedimet ishin të përqendruara në gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për konfliktin.
Marrëdhëniet mes Macron dhe Melonit kanë qenë të ftohta që prej përplasjes së tyre në samitin e G7 vitin e kaluar në Puglia të Italisë, duke reflektuar tensionet më të gjera mes Francës dhe Italisë për çështjet europiane dhe politike.