“Faleminderit që na i ktheve babanë tonë”/ Familja e amerikano-izraelitit falënderon Presidentin Trump për lirimin e tij nga Hamasi
Familja e amerikano-izraelitit Keith Siegel, i cili u lirua sot dhe u kthye në Izrael, ka shprehur mirënjohjen e saj ndaj Presidentit Donald Trump për ndërhyrjen e tij. Pas 484 ditësh vuajtje dhe shqetësimesh, ata shprehen se mund të marrin frymë sërish, ndërsa falënderojnë Trump për kthimin e babait të tyre.
“Faleminderit Presidenti Trump, që na e ktheve babanë tonë. Tani janë 79 pengje të tjerë që presin të ribashkohen me të dashurit e tyre. Shpresa jonë qëndron tek ju,” tha familja Siegel.
Ata gjithashtu përgëzuan marrëveshjen e armëpushimit, duke thënë se ajo jep përparësi jetës njerëzore dhe reflekton vlerat hebraike dhe izraelite.
Në përfundim, familja theksoi rëndësinë që të gjithë pengjet të kthehen në shtëpitë e tyre, duke përfshirë ata që janë ende gjallë dhe ata që janë viktima të dhunës, të cilët duhet të varrosen në tokën e Izraelit.