“Mjaft me heshtje”, Vuçiç kërkon dialog, “lumë” qytetarësh në protestë rrugëve në Novi Sad

Një marshim i madh u mbajt në Novi Sad në tre mujorin e incidentit tragjik në stacionin hekurudhor kur muri i stacionit të trenit u shemb më 1 nëntor 2024, duke vrarë 15 persona.

Dhjetëra mijëra qytetarë dhe studentë u mblodhën në mesditë para stacionit të trenit për të nderuar viktimat e tragjedisë duke mbajtur 15 minuta heshtje, një minutë për çdo viktimë.

Demonstratat e sotme në Novi Sad po zhvillohen me sloganin “Mjaft me heshtje” dhe janë vazhdimësi e mobilizimeve studentore që filluan dy muaj e gjysmë më parë duke kërkuar llogari për tragjedinë.

Thirrjes së studentëve për të marrë pjesë në demonstratat e sotme iu përgjigjën mijëra qytetarë të ardhur nga e gjithë Serbia.

Në të gjitha hyrjet e Novi Sadit ishin krijuar radhë kilometërshe të automjeteve që vinin nga të gjitha anët e vendit.

Shumë protestues mbërritën në grupe të organizuara, si motoçiklistë, taksistë, fermerë me traktorë, pensionistë të forcave speciale dhe veteranë të luftës.
Në mënyrë të organizuar mbrëmë kanë mbërritur edhe studentë nga Beogradi, të cilët kanë realizuar një marshim prej 95 kilometrash.

Presidenti i Republikës, Aleksandar Vuçiç, nga Serbia jugore ku po bën turne, u bëri thirrje edhe një herë studentëve për dialog, duke përsëritur në të njëjtën kohë akuzat për protesta të nxitura nga të huajt.