Rreth 30 eurodeputetë kanë shprehur shqetësim të thellë për veprimet dhe qëndrimet publike të Elon Musk, duke i kërkuar Komisionit Europian të ndërhyjë për të analizuar ndërhyrjet e tij në Evropë. Në një letër drejtuar presidentes së Komisionit, Ursula von der Leyen, eurodeputetët ngrenë akuza ndaj miliarderit për “ndërhyrje politike” dhe “fushata shpifjesh”.
Në deklaratën e tyre, ata e cilësojnë Musk si një individ me ndikim të madh që po ndikon negativisht në politikat evropiane:
“Elon Musk nuk është thjesht një miliarder i huaj, por një anëtar i ardhshëm i administratës Trump, që po sulmon aleatët më të mirë të Amerikës,” thuhet në letër.
Eurodeputetët i referohen konkretisht mbështetjes së tij për partinë gjermane të ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), gjatë fushatës zgjedhore, duke ngritur pikëpyetje për përputhshmërinë e këtyre veprimeve me Akti i Shërbimeve Dixhitale (Digital Services Act).
Një debat mbi këto akuza është planifikuar të mbahet në Parlamentin Europian në Strasburg të martën, ku do të shqyrtohen ndikimet e mundshme të veprimeve të Musk mbi politikat dhe stabilitetin demokratik në Evropë.
Eurodeputetët kanë kërkuar që Komisioni Europian të shqyrtojë dhe të veprojë nëse ka shkelje ligjore. “Ne nuk mund të lejojmë ndërhyrje të tilla që të cënojnë stabilitetin dhe vlerat demokratike të Evropës,” përfundon deklarata e tyre.