Erdogan paralajmëron: Lufta Izrael-Iran mund të sjellë një valë emigrantësh drejt Evropës

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka ngritur alarmin mbi pasojat që mund të sjellë përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe Iranit, duke paralajmëruar rrezikun e një vale të re migrimi drejt Evropës. Gjatë një bisede telefonike me kancelarin gjerman Friedrich Merz, Erdogan theksoi se lufta në Lindjen e Mesme mund të ketë pasoja të rënda për sigurinë e rajonit dhe të kontinentit europian.

“Ndikimi i këtij përshkallëzimi të dhunës të shkaktuar nga sulmet izraelite mund të dëmtojë rajonin dhe Evropën në aspektin e migrimit”, thuhet në një deklaratë të presidencës turke. Erdogan shtoi se konflikti përbën një kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe u bëri thirrje palëve të përfshira që të rikthehen në tryezën e negociatave për të shmangur një katastrofë më të madhe.

Edhe pse Turqia ndan një kufi prej rreth 500 kilometrash me Iranin, autoritetet turke bëjnë të ditur se deri më tani nuk është regjistruar një rritje e ndjeshme e mbërritjeve nga Irani. Megjithatë, shqetësimet mbeten për një krizë të mundshme humanitare nëse përleshjet përshkallëzohen.