Emri/ Hajduti serial në Tiranë, arrestohet 40-vjeçari, vodhi sende me vlerë mbi 11 mijë euro nga i njëjti dyqan

Një 40-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi rezulton se për katër muaj me radhë kishte vjedhur në mënyrë të përsëritur të njëjtin dyqan syzesh, duke shkaktuar një dëm që shkon përtej 11 mijë eurove. Bëhet fjalë për Elson (Durim) Doku, një emër i njohur për policinë, me precedentë të mëparshëm penalë për vjedhje.

Doku kishte kthyer në “shënjestër personale” një dyqan optike në kryeqytet, nga i cili kishte marrë gjithsej 7 palë syze të markave të shtrenjta, në mënyrë të përsëritur dhe me kujdes për të mos rënë në sy. Megjithatë, lëvizjet e tij u dokumentuan nga kamerat e sigurisë, ndërsa policia arriti të identifikojë dhe ndalojë autorin pas një hetimi disamujor.

Njoftimi i Policisë

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Logo”.

Gjatë 4 muajve, vodhi në të njëjtin dyqan, aksesorë me vlerë rreth 11 200 euro, kapet 40-vjeçari, i dënuar më parë, për të njëjtin krim.

Në vijim të punës hetimore intensive që po kryhet nga strukturat e Policisë së Tiranës, për zbardhjen e vjedhjeve dhe për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të tyre, Komisariati i Policisë Nr. 1 finalizoi operacionin “Logo”.

Gjatë operacionit, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi E.(D.) D., 40 vjeç, banues në Tiranë.

Ai dyshohet se gjatë 4 muajve të fundit, ka vjedhur në të njëjtin dyqan, 7 palë syze me vlerë rreth 11 200 euro.

Vijojnë hetimet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer 40-vjeçari.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.