Zbardhen detaje të reja lidhur me vrasjen e Vani Koxhës dhe plagosjen e vëllait të tij. Media italiane “Il Gazzettino” ka zbardhur emrat e dy personave të prangosur për ngjarjen, dy shtetasit nga Maqedonia e Veriut, Adnan Ramadani, 30 vjeç dhe Imer Imeri, 49 vjeç. Imeri akuzohet për sherrnë ambiente publike dhe rrezikon burgim nga dy deri në gjashtë vjet, ndërsa për Ramadanin akuza do të jetë më e ashpër pasi u kap me thikë në dorë. Mbetet që të verifikohet nëse ajo thikë është përdorur për dy goditjet vdekjeprurëse në gjoksin e 41-vjeçarit shqiptar dhe për plagosjen e vëlklait të tij. Deri më tani, në thikë nuk janë gjetur gjurmë gjaku, por hetimet vijojnë.
Deklaratat
Gjatë marrjes në pyetje Ramadani ka shfrytëzuar të drejtën që të mos përgjigjet, ndërsa Imeri pretendon se nuk ka parë asgjë dhe as ka marrë pjesë në përleshje. Ai i tha gjyqtarit se në momentin që ka ndodhur ngjarja ishte ulur në një lokal aty pranë, por nuk kishte marrë pjesë në përplasje sepse sapo kishte bërë një operacion pasi kishte probleme me shpinën dhe këmbën. Mbrojtësi i tij shtoi gjithashtu se klienti i tij çalon, ndaj dhe nuk ka shanse të kishte marrë pjesë në përplasje pasi do të rrezikonte jetën e tij. Por edhe kjo mbrojtje nuk e ka liruar nga burgu.
Hetimet
Tani hetimet vazhdojnë për të rindërtuar atë që ndodhi në via Rizzardi. Fillimisht u fol për një përplasje mes 4 maqedonasve dhe 4 shqiptarëve, të cilët e kishin lënë që të takoheshin në vendin që ndodhi sherri. Në kërkim janë të paktën, dy maqedonas dhe dy shqiptarë të cilët ende nuk janë gjetur. Me hetimet në numrat e telefonit të personave të arrestuar, mund të bëhet i mundur gjurmimi i disa prej tyre.