Nipi iu vra me snajper në Janar. Tritol banesës që frekuentohej nga Bernard Sinomati! A po rikthehet hakmarrja e “të fortëve” të Vlorës?

Ky vit duket se ka rindezur gjakrat mes “të fortëve” të Vlorës. Ky vit nisi dhe po mbyllet me larje hesapesh mes fiseve kundërshtare atje. Janari nisi me një vrasje me snajper. I vrarë mbeti një 22-vjeçar, që më pas u identifikua si Gëzim Sinomati.

Gëzim Sinomati, ishte nipi i të fortit të Vlorës, Bernard Sinomati. Ndërsa thuhet se shenjestra e asaj mbrëmjeje pa energji elektrike në Vlorë, u ngatërrua. Pas disa muajsh heshtje, teksa organet ligjzbatuese po përpiqen të emërojnë drejtuesit dhe shefat e rinj, grupet, duke përfituar nga kjo situatë e amullinjtë, nisin hakmarrjen.

Kështu, pak ditë më parë, dyshohet se pikërisht për larje hesapesh, u qëllua me breshëri kallashnikovi, Kevin Hajrulla, kushëriri i dytë i trashëgimtarit të bandës së Faqedjegurit, apo Edison Harizajt.

Teksa gjakrat duken të rindezura, rikthimi i Bernard Sinomatit në “qarkullim”, plagosja e Hajrullës nga ana tjerër, duket se ka bërë që doza e agresivitetit të rritet.
Një natë më parë, në një apartament në Tiranë, që dyshohet se frekuentohej nga Bernard Sinomati, një sasi lënde plasëse, dërguar me dron, tronditi kryeqytetin.

Banesa ndodhej në katin e 9-të të rrugës “Sadik Petrela” në Tiranë.

Fatmirësisht nuk ka të lënduar ndërsa hetuesit dyshojnë se lënda eksplozive është hedhur me anë të një droni.

Me ndihmën e forcave zjarrëfikëse, shërbimet e Policisë hapën me forcë derën pasi në banesë nuk kishte njeri dhe konstatuan të dëmtuar xhamin dhe vetratën e ballkonit, nga lënda plasëse.

Dyshimet janë shtuar edhe më shumë pasi policia ka mësuar se banesa frekuentohej nga Bernard Sinomati, një emër i njohur për policinë i arrestuar për armëmbajtje pa leje dhe i dënuar në Belgjikë. Bernard Sinomati është vëllai i Sokol Sinamatit, ish anëtarit të bandës së “Gaxhait ”, dhe xhaxhai i Gëzim Sinomatit, 22 vjeçarit që u ekzekutua me snajper në janar të këtij viti në lagjen “Hajro Çakerri” në vlorë.

Po ashtu në janar të vitit 2022 atij i është vendosur eksploziv në automjetin e tij të parkuar në qytetin bregdetar.

Hetuesit po ashtu po hetojnë edhe pistën nëse sasia e tritolit që shpërtheu mund të jetë poseduar nga personat që frekuentonin apartamentin dhe ka shpërthyer aksidentalisht ose është inskenuar.