E frikshme! Pilotit i bie të fikët, avioni me 199 pasagjerë fluturon pa kontroll për 10 minuta

Pa pilot për 10 minuta! Avioni i Lufthansas fluturon drejt Spanjës pas humbjes së ndjenjave të bashkëpilotit, zbardhet raporti

Një fluturim i Lufthansas me 205 persona në bord mbeti pa pilot për rreth 10 minuta, pasi bashkëpiloti humbi ndjenjat gjatë një fluturimi nga Frankfurti për në Sevilje, shkruan CNN, duke cituar një raport të autoritetit spanjoll të hetimit të aksidenteve, CIAIAC.

Ngjarja e zbuluar rishtas ka ndodhur një vit më parë, kur njëri nga pilotët kishte dalë nga kabina për të përdorur tualetin, ndërsa bashkëpiloti, që kishte mbetur vetëm, humbi ndjenjat. Gjatë kësaj kohe, aeroplani Airbus A321 vazhdoi të fluturonte në mënyrë të qëndrueshme falë autopilotit aktiv, megjithëse bashkëpiloti pa vetëdije preku kontrollet, duke shkaktuar alarm në kabinën e pilotit.

Sipas raportit, frymëmarrja e “çuditshme” e bashkëpilotit u regjistrua nga regjistruesi i zërit, ndërsa përpjekjet e kontrollorëve të trafikut ajror për të kontaktuar kabinën nuk morën përgjigje. Kapiteni, pas pesë përpjekjesh për të hapur derën e kabinës me një kod standard, përdori një kod emergjence për të rifituar kontrollin e avionit.

Pasi u fut në kabinë, kapiteni konstatoi gjendjen e bashkëpilotit dhe bashkë me një mjek që ndodhej në bord, i ofruan ndihmën e parë, pas së cilës bashkëpiloti rifitoi vetëdijen. Fluturimi më pas u devijua për në aeroportin Adolfo Suárez Madrid-Barajas, ku u ul 20 minuta më vonë.

Pas incidentit, bashkëpiloti u dërgua në spital, ku qëndroi për disa orë. Një hetim më pas zbuloi se ai vuante nga një gjendje neurologjike para-ekzistuese që nuk ishte identifikuar në ekzaminimet e tij të rregullta mjekësore. Si pasojë, certifikata e tij mjekësore u pezullua.

CIAIAC e përshkroi ngjarjen si një “rrethanë të jashtëzakonshme” dhe nënvizoi se pilotët janë trajnuar për të menaxhuar situata të ngjashme. Megjithëse të rralla, paaftësitë gjatë fluturimit, përfshirë humbjen e papritur të ndjenjave, janë të dokumentuara në historinë e aviacionit.