Gara për Tiranën, Olta Xhaçka kryeson ndaj Blerina Gjylametit, Majko dhe Kodheli mbeten jashtë Kuvendit
Vijon numërimi i votave preferenciale për qarkun e Tiranës, ku Olta Xhaçka po ruan avantazhin ndaj rivales së saj brenda Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti. Deri tani, janë numëruar 27,697 zarfe me votën e diasporës nga 43,157 në total, me Xhaçkën që kryeson me 6,039 vota, ndërsa Gjylameti ndjek me 5,970 vota, duke mbetur jashtë Parlamentit të ri me një diferencë prej 69 votash.
Ndërkohë, figura të tjera të njohura të PS, si Pandeli Majko, me 5,878 vota, Etilda Gjonaj me 5,138 vota dhe Plarent Ndreca me 4,745 vota, po ashtu kanë mbetur jashtë Kuvendit. Më poshtë në renditje janë Ermonela Felaj me 4,389 vota dhe Mimi Kodheli me 4,121 vota, duke mos arritur të sigurojnë mandate.
Në kampin e Partisë Demokratike, gara duket më e qartë, me Jorida Tabakun që ka siguruar një epërsi të ndjeshme ndaj Ilir Alimehmetit, me 20,058 vota kundrejt 17,736 votave të tij, duke forcuar pozitat e saj në Parlamentin e ri.