Viktor Marku, i cili qëlloi me armë zjarri në Shkodër, është autori i dyshuar për vrasjen e Hekuran Billës në Tiranë.
Ai u arrestua nga policia, por që më pas është liruar për mungesë provash nga Gjykata e Tiranës. Raportohet se Viktor Marku gjatë mbrëmjes ka qëlluar me armë zjarri në afërsi të bustit të Prekë Calit. Ndërkohë në një automjet tip BMW, i cili është sekuestruar, u gjet një gëzhojë arme. Janë ende të paqarta arsyet e kësaj ngjarje ndërsa policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të saj. Nga të shtëna raportohet se nuk ka persona të plagosur.
Arrestimi për vrasjen e Hekuran Billës
40-vjeçari Hekuran Billa, me precedentë penalë, u ekzekutuar mbrëmjen e 11 Qershorit 2020 me një amrë zjarri me silenciator.
Atentati ndodhi rreth orës 22:00, në momentin që viktima po lëvizte me makinën e tij të llojit “BMW X6”, në zonën “Komuna e Parisit”, pranë qendrës ‘Kristal’.
Më 18 Qershor u arrestua 26-vjeçari Sebastiano Mali, i dyshuar nga policia si bashkëpunëtor në vrasjen e 40-vjeçarit. Sebastiano Mali është nipi i Prel Markut, ekzekutuar në Angli vite më parë nga Hekuran Billa.
Ndërsa tre ditë më pas, Viktor Marku u arrestua nga policia malazeze në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit.
“Falë bashkëpunimit të shkëlqyer mes Policisë së Shtetit dhe Policisë malazeze, duke shkëmbyer në kohë reale informacione të grumbulluara nga DVP Tiranë, për vendndodhjen e shtetasit V. M., i dyshuar si autor kryesor për vrasjen e shtetasit H. B., u bë e mundur kapja në Malin e Zi, nga Policia malazeze, e shtetasit V. M. dhe më pas arrestimi i tij në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit, nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit”, njoftoi policia në atë kohë.
Por të dy mohuan përfshirjen në ngjarje. Në dëshminë e tij para policisë, Sebastiano Mali ka deklaruar se prej muajsh jetonte në zonën e ish-klubit Partizani në Tiranë dhe se kishte marrë një mjet “BMW” X6 me qira për të lëvizur.
Ndërsa i pyetur për lëvizjet e tij natën e krimit në zonën ku u vra Billa, Sebastiano Mali nuk ka pranuar që e ka gjurmuar viktimën por se ka qenë në zonë për qejf.