Donald Trump Junior mbështet deklaratën e Richard Grenell: Mos u mashtroni nga Kurti

Deklarata e fortë e Richard Grenell, i dërguari i Donald Trump për Misione të Posaçme, kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka marrë vëmendje të madhe pak ditë para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Jo vetëm kaq, por kjo deklaratë është rishpërndarë edhe nga djali i ish-presidentit amerikan, Donald Trump Junior, në rrjetin social “X”, duke treguar mbështetjen e tij ndaj qëndrimeve të Grenell.


Grenell kritikoi ashpër qeverinë e Albin Kurtit, duke theksuar se ajo nuk ka qenë e besueshme për asnjë administratë amerikane, as gjatë mandatit të Donald Trump, as gjatë mandatit të presidentit aktual, Joe Biden. Sipas tij, retorika e Kurtit, e cila përpiqet të paraqitet si pro-amerikane, është plotësisht e rreme.

“Mos u mashtroni nga Kurti”, shkroi Grenell në postimin e tij, ku ndër të tjera theksonte se kompanitë amerikane po zgjerohen në Shqipëri dhe Serbi, por jo në Kosovë, dhe për këtë ai fajëson qeverinë e Kurtit.

Në deklaratën e tij, Grenell kujtoi përplasjet e mëparshme me Kurtin gjatë kohës kur ishte i dërguar për dialogun Kosovë-Serbi. Ai e quajti Kurtin të pabesueshëm dhe antiamerikan, duke përmendur se gjatë mandatit të parë të Trump-it marrëveshjet për paqe në Ballkan ishin të pamundura për shkak të tij.

Këto përplasje, sipas Grenell, kulmuan në vitin 2020 me rrëzimin e qeverisë Kurti, pas një mocioni nga kundërshtarët politikë, që ai e cilëson si rezultat të pazareve për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.

Rikthimi i Albin Kurtit në pushtet në vitin 2021 nxiti përplasjet e reja me Grenell, i cili tashmë është rikthyer në administratën Trump si i dërguar për Misione të Posaçme.

Zgjedhjet e 9 shkurtit dhe sfida e Kurtit
Më 9 shkurt, qytetarët e Kosovës do të votojnë për zgjedhjet e reja parlamentare, ku Kurti synon të sigurojë një mandat tjetër qeverisës. Megjithatë, rikthimi i kritikave nga Richard Grenell dhe përfshirja e Donald Trump Junior kanë rritur presionin mbi të, duke e bërë këtë proces zgjedhor akoma më të tensionuar.