Deklaratat e ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, mbi interesin për të marrë kontrollin e Groenlandës, ishullit më të madh në botë dhe territor autonom i Danimarkës, kanë ngritur debate ndërkombëtare. Pavarësisht refuzimeve nga zyrtarët danezë dhe evropianë, të cilët theksojnë se Groenlanda nuk është në shitje, BBC ka renditur katër skenarë për të ardhmen e ishullit:
1.Trump humbet interesin, gjithçka mbetet si më parë
Spekulohet se lëvizja e Trump mund të jetë thjesht një manovër për të nxitur Danimarkën të forcojë sigurinë e Groenlandës përballë influencës ruse dhe kineze në Arktik. Nëse asgjë konkrete nuk ndodh, Groenlanda mund të mbetet nën kontrollin aktual të Danimarkës.
2.Presioni ekonomik i Trump ndaj Danimarkës
Një tjetër skenar përfshin rritjen e presionit ekonomik nga SHBA, përmes tarifave tregtare ndaj mallrave daneze ose BE-së, për të detyruar Danimarkën të bëjë lëshime mbi Groenlandën. Ekspertët sugjerojnë se qeveritë daneze janë të përgatitura për këtë lloj presioni.
3.Përdorimi i forcës ushtarake nga SHBA
Ndërsa ky mbetet skenari më i largët, disa analistë thonë se SHBA tashmë ka ndikim të madh mbi Groenlandën përmes bazave dhe trupave të saj në ishull. Çdo veprim ushtarak do të shkaktonte një incident ndërkombëtar dhe do të minonte rëndë marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Evropës.
4.Groenlanda voton për pavarësinë
Pavarësia e Groenlandës është një skenar gjithnjë i mundshëm, pasi ekziston një konsensus i brendshëm për këtë hap. Në rast të një votimi për pavarësi, Danimarka ka të ngjarë ta pranojë atë. Pas kësaj, Groenlanda mund të kërkojë lidhje më të ngushta me SHBA-në për mbështetje ekonomike dhe politike.
Debati rreth Groenlandës ka nxjerrë në pah jo vetëm interesat ekonomike dhe gjeopolitike, por edhe ndjeshmëritë ndërkombëtare për territorin strategjik të Arktikut.