Emisari special i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka treguar detaje nga takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të premten në Beograd. Lajçak, përmes një postimi në platformën X, pohoi se në takim me Vuçiçin kanë biseduar për takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve në Bruksel.
“Pas Prishtinës javën e kaluar, vizitova Beogradin për t’u takuar me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe me Petar Petkoviç. Folëm për takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve, çështjet aktuale, të cilat duhet të adresohen urgjentisht dhe zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit”, ka shkruar Lajçak.Për takimin reagoi dhe Vuçiç. “Ne shqyrtuam të gjitha mundësitë dhe temat për vazhdimin e bisedimeve konstruktive në Bruksel, si dhe biseduam për hapat e nevojshëm për përparim drejt normalizimit të raporteve mes Beogradit dhe Prishtinë. Sërish i bëra thirrje komunitetit ndërkombëtar që të angazhohet konkretisht dhe në mënyrë të vendosur në çështjet me rëndësi themelore për mbijetesën e popullit serb në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal”, tha Vuçiç. Kujtojmë se BE-ja ka njoftuar se më 19 mars në Bruksel, në nivel të kryenegociatorëve, Kosova dhe Serbia do të diskutojnë për çështjen e dinarit.