Dhunonte bashkëshorten dhe e kërcënonte se do e vriste me armë zjarri, arrestohet 65-vjeçari në Tiranë! I gjendet municion luftarak në banesë

Një 65-vjeçar është arrestuar nga policia në Tiranë, pasi ka dhunuar dhe kërcënuar me jetë bashkëshorten e tij, duke i thënë se do e vriste me armë zjarri.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Tomi Kristo”, dhe në pranga ka rënë shtetasi me iniciale Sh. V., 65 vjeç, i cili akuzohet për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”

Sipas policisë së Tiranës, gjatë kontrollit të banesës së 65-vjeçarit, efektivët gjetën dhe sekuestruan një mjet prerës thikë, një armë zjarri kallashnikov, 4 krëhra dhe municion luftarak.

Njoftimi i policisë

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Prevention”, për parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale.

Falë ndërhyrjes në kohë dhe veprimeve profesionale të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 parandalohet një ngjarje kriminale në një familje.

Kapet dhe arrestohet në flagrancë një 65-vjeçar që kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe e kanoste atë se do ta vriste.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Tomi Kristo”, një shtetas po ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe po e kanoste atë se do ta vriste, menjëherë kanë organizuar punën për parandalimin e ngjarjes së mundshme kriminale, dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien e autorit të dyshuar përpara përgjegjësisë penale.

Si rezultat i veprimeve të shpejta është bërë neutralizimi i shtetasit Sh. V., 65 vjeç, i cili u arrestua në flagrancë për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 130/a dhe 278 të Kodit Penal.