Detaje nga atentati mafioz në Tiranë me 4 të plagosur – Po ktheheshin nga festa e 11-vjeçarit! Fuoristrada u zuri pritë dhe zbrazi breshëri plumbash I mituri në gjendje të rëndë
Një atentat i rëndë me armë zjarri tronditi kryeqytetin mbrëmjen e së enjtes, ku katër persona mbetën të plagosur, mes tyre një 11-vjeçar që festonte ditëlindjen e tij. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30, përgjatë autostradës Tiranë-Elbasan, ku autorët që udhëtonin me një fuoristradë, zunë pritë dhe qëlluan me breshëri plumbash drejt një makine tip G-Class me të cilën po ktheheshin në Tiranë katër të rinj.
Të plagosurit janë Arenc Stafa, 34 vjeç – shoferi i familjes Demiraj dhe i kompanisë “Pelikani Security”, Kian Mullahi, 19 vjeç – i kthyer nga Londra për festat e Pashkës, si dhe dy të miturit Marko Bardhi Demiraj, 17 vjeç dhe Dior Demiraj, 11 vjeç – përkatësisht nipi dhe djali i pronarit të “Pelikani Security”.
Të katër udhëtonin me makinën e familjes Demiraj, një Mercedes-Benz G-Class me targë AB002MD, pas një feste në Pjezë të Shijakut, ku kishin qenë te pista “Arena Karting Albania” për të festuar ditëlindjen e Diorit. Pas kthimit në Tiranë, me synimin për të vijuar festimet në shtëpi te banesat në Rolling Hills, Lundër, ndodhi sulmi i armatosur.
Në momentin kur makina ka hyrë te rrethrrotullimi i Shkozës për të ndjekur itinerarin drejt Lundrës, autorët që udhëtonin me një fuoristradë janë afruar në lëvizje dhe kanë hapur zjarr ndaj mjetit. Pika kulminante e sulmit ka qenë pranë zonës së AgroParkut (Tregu Agro-Ushqimor), ku janë dëgjuar të shtëna të shumta. Pavarësisht plumbave dhe panikut, shoferi Arenc Stafa ka arritur të drejtojë mjetin deri në Lundër, por si pasojë e dëmtimeve, makina është përplasur dhe ka ndaluar.
Persona të rastësishëm kanë ndaluar dhe u kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurve, ndërsa më pas janë transportuar me urgjencë në spitalin e Traumës. Familjarët e tyre janë njoftuar nga policia vetëm rreth një orë pas atentatit.
Burime spitalore konfirmojnë se 34-vjeçari Stafa dhe 19-vjeçari Mullahi janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 17-vjeçari është në gjendje të qëndrueshme. Gjendja më e rënduar është ajo e Dior Demirajt, 11 vjeç, i cili po mjekohet në reanimacion. Dy nga të plagosurit, Marko dhe Kian, pas ndërhyrjeve të para në spitalin e Traumës, janë transferuar në një spital privat.
Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Deri më tani, pista kryesore është ajo e një atentati të mirorganizuar, me autorë të armatosur që kanë ndjekur dhe qëlluar në lëvizje ndaj objektivit. Grupi hetimor po analizon pamjet e kamerave të sigurisë në gjithë itinerarin Shkozë–Lundër për të identifikuar autorët, të cilët janë larguar në drejtim të paditur.