DETAJE TRONDITËSE/ Ekzekutuan Gjovalin Prendin pa lënë asnjë gjurmë, vrasësit dyshohet të jenë me pagesë
Ende asnjë gjurmë nga autorët e ekzekutimit të Gjovalin Prendit. 64-vjeçari u vra para biznesit të tij, teksa pistat janë disa në duart e hetuesve.
Automjeti, që mbetet i paidentifikuar, hyri dhe doli nga ura e vjetër e Milotit. Mendohet se kanë qenë të paktën tre persona në automjet, dy prej të cilëve kanë zbritur në tokë, pasi Gjovalin Prendi ndodhej në pjesën e verandës dhe është qëlluar me breshëri automatiku.
Nisur nga dinamika, duket sikur autorët kishin informacion të saktë për lëvizjet e 64-vjeçarit dhe faktin se ai ndodhej në lokal. Policia ka kryer kontrolle në Milot, në banesat e personave me të cilët djali i vrarë i viktimës kishte përplasje, por nuk është arritur të identifikohen autorët.
Dyshimet janë se në krim kanë marrë pjesë vrasës me pagesë, por ende nuk është gjetur drejtimi final që mori mjeti dhe as vetë mjeti që u përdor në këtë krim.
Gjovalin Prendi është babai i të riut, Sidorel Prendi që disa muaj më parë u ekzekutua në Greqi.
Sidoreli, i njohur dhe si Roan Brahimi u ekzekutua me armë zjarri në Athinë 9 maj të vitit të shkuar. Ai dyshohej nga policia shqiptare se kishte lidhje me vrasjen Gentjan Bejtjes, në 15 mars 2024 në Larushk të Fushë Krujës.
Një nga personat e arrestuar nga policia si transportues i vrasësve, Ilir Beqaraj, rezulton të ketë lidhje familjarë me të, konkretisht, është kunat me Roan Brahimin.
Gjithashtu Brahimi njihet si rivali i Ervis Martinajt dhe akuzohet si i përfshirë në atentatin ndaj Ylli Brahimit, ku mbeti i vrarë Klisman Preçi.
Gjithashtu ai dyshohet edhe për ekzekutimin e Brilant Martinajt dhe miqve të tij në mbikalimin e Fushë-Krujës, krim i ndodhur më 17 korrik 2022.
32-vjeçari jetonte në Dubai dhe kishte shkuar në maj të vitit të shkuar për të festuar Pashkët në Athinë. Atentati ndodhi teksa ai dhe bashkëshortja po prisnin në makinë djalin, i cili po luante në një kënd lojërash.
Brahimi u qëllua me breshëri plumbash nga dy persona që lëviznin me motor. Nga të shtënat mbeti e plagosur edhe bashkëshortja.