DETAJE nga tragjedia në Elbasan/ Infermierja 28-vjeçare i jep fund jetës, lë pas një fëmijë 2-vjeçar

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Elbasanit paraditen e sotme. Një grua 28-vjeçare, e identifikuar si Kladja Shuli nënë e një fëmije 2-vjeçar, ka humbur jetën pasi është hedhur nga kati i pestë i një pallati në lagjen “Visarjon Xhuvani”.

Sipas burimeve paraprake, viktima ishte infermiere pranë repartit të neurologjisë në Spitalin Rajonal të Elbasanit. Ajo jetonte me qira në katin e dytë të pallatit, por sot, për shkaqe ende të paqarta, është ngjitur në katin e pestë, ku ka lënë xhupin dhe telefonin përpara se të kryente aktin tragjik.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:30. Dyshohet se e reja vuante nga depresioni, çka mund të ketë çuar në këtë akt të rëndë. Forcat e policisë dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj tragjedie.

Ndërkohë, kjo ngjarje ka shkaktuar tronditje të madhe te banorët e lagjes dhe kolegët e saj në spital.