Dështoi në zgjedhjet e 11 majit, Dashamir Shehi jep dorëheqjen nga drejtimi i LZHK: Largohem për t’i hapur rrugën brezit të ri

Pas rezultateve zhgënjyese të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Dashamir Shehi ka njoftuar dorëheqjen nga drejtimi i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK). Në një deklaratë për mediat, ai ka pranuar humbjen dhe ka marrë përsipër përgjegjësinë për dështimin e partisë dhe koalicionit opozitar ku bënte pjesë.

“Duhet të pranojmë që Rama arriti këtë rezultat edhe për shkak të gabimeve të opozitës, përfshirë dhe tonat. Përgjegjësia bie kryesisht mbi lidershipin e partive opozitare. Kjo është një përgjegjësi që e mbaj unë personalisht”, deklaroi Shehi.

Ai tha se vendimi për t’u tërhequr është i menduar dhe ka për qëllim të krijojë hapësirë për emra të rinj dhe më energjikë, të cilët mund të sjellin frymë të re në partinë që ai ka drejtuar për vite me radhë.

“Largohem nga drejtimi i partisë për t’i hapur rrugën njerëzve më të rinj se unë dhe ndoshta më energjikë”, u shpreh ai, duke e mbyllur me mesazhin se e ardhmja politike i përket brezit të ri dhe jo më figurave të vjetra të tranzicionit.