Tre muaj pas seancës së tensionuar ku disa deputetë demokratë dogjën karriget e tyre në Kuvend, institucioni ka vendosur t’u mbajë një pjesë të pagës katër ligjvënësve të Partisë Demokratike: Gazment Bardhit, Flamur Nokës, Bledjon Nallbatit dhe Elda Hotit.
Deputetët nuk pranuan të paguanin dëmin e shkaktuar vullnetarisht, çka detyroi Kuvendin të zbresë shumën nga pagat e tyre për muajt nëntor dhe dhjetor 2024.
Sipas një fature të publikuar nga Kuvendi, dëmi i shkaktuar arrin shumën totale prej 764 mijë lekësh të reja.
•Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhit, i janë mbajtur 209 mijë lekë.
•Flamur Nokës dhe Bledion Nallbatit u janë zbritur nga 187 mijë lekë.
•Ndërsa Elda Hotit i janë mbajtur 180 mijë lekë.
Dokumenti, i firmosur nga sekretari i Parlamentit, Genci Gjonçaj, detajon dëmet e shkaktuara. Sipas tij, Bardhi ka dëmtuar stemën e Parlamentit, karriget dhe tapetin, ndërsa tre deputetët e tjerë kanë djegur karriget dhe tapetin.
Kjo masë e marrë nga Kuvendi vjen pas mospranimit nga ana e deputetëve për të shlyer vullnetarisht dëmin.