Dëbora dhe temperaturat ekstreme shkatërrojnë frutat në juglindje, fermerët kërkojnë shpalljen e gjendjes së alarmit

Reshjet e dendura të dëborës dhe temperaturat që kanë zbritur deri në -7 gradë Celsius kanë shkaktuar dëme të mëdha në frutkulturë në zonën juglindore të vendit, duke goditur rëndë prodhimin e këtij viti, veçanërisht kumbullat dhe qershitë.

Fermeri Jorgo Braholli, i cili ka sipërfaqe të mëdha të mbjella me këto kultura, deklaron se prodhimi është shkatërruar tërësisht.

“Deri dje ishim në 80% rrezik, por me rënien e borës dhe temperaturat nën zero, është 100%. Nuk do ketë këtë vit kumbulla dhe qershi. I bëj thirrje Ministrisë së Bujqësisë për të shpallur gjendjen e alarmit në juglindje. Nuk ka fruta Juglindja”, deklaroi ai.

Dëmet janë konfirmuar edhe nga specialisti i drejtorisë rajonale të ekstensionit bujqësor, Arben Hysolli, i cili shprehet se kulturat bërthamore janë më të ndjeshme ndaj këtyre kushteve ekstreme atmosferike.

“Është e vërtetë, kemi pasur temperaturë deri në -7 në disa zona dhe frutat janë prekur ndjeshëm. Dëmtimi pritet të jetë serioz”, u shpreh Hysolli.

Ndër zonat më të prekura janë fshatrat Dvoran dhe Kamenicë, të njohura për prodhimin e frutave. Autoritetet do të vlerësojnë brenda 72 orëve nëse dëmi është shtrirë edhe tek kultura e mollës.