Nga tendat që Fronti Europian ka ngritur para Gjykatës Kushtetuese në Shkup, me argumentin e mbrojtjes së gjuhës shqipe, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti foli për mediat duke thënë se ky organ i drejtësisë duhet të hedhë poshtë debatin për 13 nenet dhe tentativat për të cunguar gjuhën shqipe, ose përndryshe nuk do të ketë qetësi në Maqedoninë e Veriut.
Ahmeti ishte i ashpër me gjuhën që përdori, kur tha se nuk guxon të preket në palcën e shqiptarëve, pasi kjo nuk është në të mirë të askujt.
Sipas tij, protesta që ata kanë marrë përsipër të realizojnë nuk ka të bëjë me pohimet e Mickoskit se BDI-ja dëshiron të krijojë mjegull për shkak të krimeve të bëra kur ishte në pushtet.
Ahmeti shprehur kritika të forta edhe për liderët e koalicionit shqiptar në pushtet, VLEN, duke thënë se ata ndryshojnë qëndrimet në mënyrë të shpeshtë.
“Sa për këta tanë që brenda një muaji ndërrojnë ditë për ditë qëndrimet. Fillimisht gjuha shqipe nuk ishte zyrtare e tani na u bë zyrtare dhe dalëzotës janë bërë dhe janë trimëruar. E di unë sa trima janë. Aq trimëri kanë sa një mace të rrëzojë enët në kuzhinë. Aq është takati i tyre”, u shpreh kreu i BDI-së.