Çoi Bedrie Lokën drejt vetëvrasjes, Gjykata e Durrësit dënon Xhemal Lokën me 10 vjet burg! Dhunonte sistematikisht gruan dhe fëmijët

Gjykata e Durrësit ka shpallur dënimin me 10 vjet burg për Xhemal Lokën, bashkëshortin e Bedrie Lokës, e cila humbi jetën pas një akti vetëvrasjeje. Sipas vendimit të gjykatës, Xhemal Loka është shpallur fajtor për “Shkaktimin e vetëvrasjes” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Sipas hetimeve, Bedrie Loka ka dhënë shenja të dhunës familjare nga bashkëshorti i saj, dhe ky fakt ka ndikuar në aktin e saj tragjik. Fillimisht, u dyshua se vetëvrasja e saj ishte e lidhur me bullizmin që ajo përjetonte në platformën TikTok. Gjithashtu, Xhemal Loka akuzohet për dhunë ndaj fëmijëve të tij, për të cilën është hapur një hetim i ri.

Vendimi i gjykatës:
1. Xhemal Loka është dënuar me 7 vjet burg për shkaktimin e vetëvrasjes dhe 3 vjet burg për mbajtjen e armëve pa leje, duke u bashkuar në një dënim përfundimtar prej 10 vjetësh.
2. Ai do të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme.
3. Gjykata ka vendosur që provat materiale, të sekuestruara gjatë hetimeve, t’i kthehen pronarëve përkatës, përveç një arme që do të kalojë në favor të shtetit.
4. Shpenzimet procedurale do t’i ngarkohen të pandehurit.

Ky vendim mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit brenda 15 ditëve nga njoftimi.