Si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës në aksin Prrennjas-Qafë Thanë është krijuar një trafik kilometrik i automjeteve.
Siç shihet dhe nga pamjet e siguruara nga Euroneës Albania, reshjet intensive të dëborës që kanë përfshirë juglindjen këtë të shtunë kanë shkaktur vështirësi në qarkullimin e automjeteve.
Mësohet se Policia Rrugore ndodhet ne terren për menaxhimin e situatës.
Efektivët nuk lejojnë asnjë mjet të ngjitet në Qafë Thanë nëse nuk ka mjetin të pajisur me goma dimërore, në të kundërt nevojiten zinxhirë.
Në kushte të tilla drejtuesit e mjeteve kanë qenë të detyruar t’u drejtohen shitësve ambulantë që shesin zinxhirë në ngjitje të Qafë Thanës.
Mësohet se shitësit kanë trefishuar çmimin e zinxhirëve që pas rritjes së kërkesës nga drejtuesit e mjeteve.
Nëse në kushte normale një palë zinxhirë gomash kushtojnë 30-40 mijë lekë të vjetra ditën e sotme drejtuesit e mjeteve që kanë dashur të mos kalojnë natën në ngjitje të Qafë Thanës, i kanë blerë ato për rreth 100 mijë lekë të vjetra.