Ditë më parë agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit shkuan në banesën e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Ky i fundit ndodhej jashtë vendit të Premten, ndërsa SPAK tha përmes një njoftimi zyrtar se “janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal”.
Gazetarja Klodiana Lala zbuloi se kryetari i Bashkisë së Tiranës po hetohet nga SPAK për veprën penale të korrupsionit.
“Kam arritur të kem akses tek disa nga dokumentet. Po hetohet për veprën penale të korrupsionit. Nuk di ta them nga ku derivon, por në dokumentet që i janë dorëzuar avokatëve, por edhe personave të tjerë që janë të përfshirë në këtë proces në mënyrë direkte apo indirekte, vepra penale mbi të cilën po hetohet, deri në këto momente është vepra penale e korrupsionit. Kaq mund të them sepse nuk kam realisht më shumë informacion. Duke qenë se ka disa çështje ndaj zotit Veliaj dhe rolit të tij ka derivuar nga një çështje tjetër, këtë mund të konfirmoj. Se cila është çështja bazë, këtë nuk mund ta them, por di që ky hetim po kryhet për veprën penale të korrupsionit”, tha Lala.