Ndërsa Donald Trump mbajti fjalimin e tij të parë si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, ish-presidenti Joe Biden iu drejtua anëtarëve të administratës së tij në një ceremoni lamtumire në bazën e përbashkët Andrews.
Ish-presidenti Biden, i prekur nga momenti, falënderoi bashkëpunëtorët për kontributin e tyre dhe u shpreh krenar për punën e përbashkët gjatë mandatit të tij.
“Jam thellësisht i prekur nga gjithçka që kemi arritur së bashku për këtë vend. Ka qenë nderi i jetës sime të shërbej si presidenti juaj,” tha Biden, duke theksuar se, edhe pse administrata e tij po largohet nga detyra, angazhimi i tij për të punuar në të mirë të Amerikës do të vazhdojë.
“Ne po largohemi nga detyra, por luftën për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për vendin tonë nuk do ta ndalojmë,” shtoi ai.
Ky moment emocionues përmbylli një periudhë të rëndësishme në jetën politike të Joe Biden, i cili largohet pas katër vitesh si president i SHBA-së, duke u dorëzuar zyrtarisht detyrën pasardhësit të tij, Donald Trump.