Berisha komenton përgjimet e Veliajt: Një shpellë intrigantësh! Olsi nuk është as Çela apo Dado, por…
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për përgjimet që përfshijnë kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në burg që prej muajit shkurt për çështje të lidhura me aferën e inceneratorëve. Në konferencën e sotme me gazetarët, Berisha e cilësoi situatën si një skemë mafioze dhe të degraduar, ku sipas tij, protagonistët janë njerëz të inkriminuar që luftojnë njëri-tjetrin për interesa personale.
“Së pari, nga publikimet e tij, del mirëfilltas një shpellë intrigantësh, njerëz të inkriminuar që i fusin thika njëri-tjetrit,” deklaroi Berisha.
Ai vijoi më tej duke thënë se Veliaj duhet të ishte në burg jo vetëm për krimet e tij, por edhe për lidhje me struktura kriminale familjare dhe bashkiake.
“Tani, që Erion Veliaj është aty ku është, për krimet e rënda, kjo nuk ka diskutim. Por Erion Veliaj duhet të jetë me organizatë kriminale, familjare dhe bashkiake, të dyja. I ka të dyja.”
Berisha gjithashtu komentoi faktin që sipas përgjimeve, Veliaj është regjistruar nga të gjitha anët, duke nënkuptuar se i janë ngritur kurthe nga bashkëpunëtorë të tij, përfshirë edhe ministra.
“Por që me Erion Veliajn, t’i organizohen kurthe nga ministra, kjo është makbethiane, pak të themi por është makbethiane.”
Në një moment të veçantë të fjalës së tij, Berisha ndalet te emri “Olsi” që përmendet në përgjime, duke sqaruar se nuk bëhet fjalë për Olsi Çelën apo Olsi Dadon, por për ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja.
“Lëre që e regjistrojnë nga të gjitha anët, dhe pastaj Uluziu… a e morët vesh ju kush është Olsi? Olsi është Uluziu… absolutisht.
Olsi i Altin Hajrit, i dy kostumeve, merrja pak masën, ai e bëri punën mirë, prandaj merrja masën për dy kostume.
Tani, burime 100 përqind të sigurta më informojnë se nuk bëhet fjalë as për Olsi Çelën, as për Olsi Dadon, por për Uluziun.”
Në fund, Berisha e përmbylli deklaratën e tij me një akuzë të fortë ndaj strukturave shtetërore dhe politike:
“Komentet e mia për përgjimet e Erion Veliajt dhe mesazhet e tij tregojnë se kemi të bëjmë me një grup mafioz me pushtet që nuk kanë asnjë rregull, asnjë ligj, asnjë normë.”