Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi në një reagim është shprehur se gjurmët e korrupsionit në Shëndetësi janë njëlloj si tek Inceneratorët.
Ato nuk i mbulon dot bojkoti.
Reagimi i plotë i Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi:
Bojkoti nuk e mbulon dot korrupsionin!
Bojkoti nuk mund të jetë mjet në veprimtarinë e institucioneve. Kur ky mjet përdoret nga mazhoranca, me qëllim për të penguar punën e vetë institucionit dhe për të mos lejuar hetimin parlamentar, kjo merr tiparet e një puçi kushtetutes.
Sjellja e përsëritur e deputetëve të mazhorancës në Komisionin Hetimor të kontratave koncesionare në shëndetësi është tregues i panikut që ka kapur mazhorancën nga kontrolli i kontratave korruptive të sterilizimit dhe check-up.
Pse ikin? Pse fshihen? Kë po mbrojnë?
Sjellja bllokuese/bojkotuese fatmirësisht është një film i parë nga çdo qytetarë, sepse po ndjekin të njëjtin model që u përpoqën të ndiqnin në Komisionin Hetimor të Inceneratorëve.
Në atë rast dështuan me turp.
Jo vetëm nuk e penguan opozitën që ti shkonte deri në fund asaj afere korruptive, por sot kishin rastin të shihnin Erion Veliajn, “dëshmitarin” kryesor të atij Komisioni Hetimor, tek priste 1 orë pas derës së SPAK për t’u marrë në pyetje.
Deputetët e mazhorancës duhet të kujtojnë fytyrën arrogante të Erion Veliajt në Komision Hetimor dhe ta krahasojnë me fytyrën e tij sot tek hynte në SPAK për të dhënë llogari për 130 milionë euro të vjedhura nga buxheti i qytetarëve në Inceneratorin e Tiranës.
Në Komision Hetimor deputetët e mazhorancës i bënë avokatinë, por sot nuk e kishin këtë mundësi.
Prandaj, hiqni dorë nga bojkoti dhe rikthejuni misionit për të kontrolluar aferat korruptive.
Detyra e çdo deputeti është të mbrojë interesin publik, jo të bëjë avokatinë e të korruptuarve.
Gjurmët e korrupsionit në shëndetësi, njëlloj si tek inceneratorët, nuk i mbulon dot as bojkoti, as bllokimet, as vonesat dhe as avokatia partiake.