Fokusi i këtij eventi ishte rritja e njohurive të individëve të rinj të interesuar në sigurinë kibernetike dhe/ose fushat e TIK-ut.
Për të tretën herë, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike zhvilloi kampin, me të rinj studentë të Teknologjisë dhe Informacionit nga 6 vende të ballkanit perëndimor.
Teksa Ballkani dhe Shqipëria, sidomos viteve të fundit, është përballur me sulme të njëpasnjëshme kibernetike, të cilat kanë rrezikuar jo rrallëherë edhe sigurinë kombëtare, sot, më shumë se kurrë, lind nevoja për ekspertë të rinj.
Krahas boom-it teknologjik dhe dixhitalizimit, ndërtimi dhe forcimi i barrierave mbrojtëse është prioritet.
Ky aktivitet u mundësua me mbështetjen e prezencës se OSBE në Shqipëri, misionet e OSBE në Kosovë, Serbi, e Shkup, Regional Cooperation Council (RCC), Departamenti Amerikan i Shtetit, CRDF Global.
Interesit të medias për situatën e vendit tonë pas sulmeve dhe pas rrjedhjes së të dhënave sensitive që nga korriku 2022, drejtuesi i AKSK Igli Tafa i përgjigjet kështu:
“Rrjedhja e informacionit është pjesë e botës së re të digjitalizimit. Nuk ka shtet në botë që nuk ka rrjedhje informacioni. Para disa kohësh në Francë rrodhën të dhënat shëndetësore të gjysmës së popullsisë së vendit. Mund të marrim shembuj nga shtete të tjera me fuqi të jashtëzakonshme. Kemi përballë grupe hakerash që gjejnë hapësirë për vjedhjen e të dhënave. Ne mund të investojmë në shumë vende, por ata mund të gjejnë pika të dobëta. Rrjedhje ka pasur sepse kemi pasur sulme, jo më nga grupë që iu përkasin disa fëmijëve, por janë grupe profesionistësh që janë të financuar nga shteti”.