Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoj, SPAK jep pretencën për personat e përfshirë në ngjarje/ 7 vite burg kërkon për Ramazan Rrajën

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me 11 vite burg, ku në aplikim të gjykimit të shkurtuar, konvertohet në 7 vite e 4 muaj burg, për Ramazan Rrajën. SPAK ka kërkuar gjithashtu dënimin edhe të personave të tjerë të përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit, Arjan Ndoj:

Genti Nderjaku dënim me 9 vite burg, me gjykim të shkurtuar konvertohet në 6 vite burg. Bashkim Haxhia, 8 vite burg, me gjykim të shkurtuar konvertohet në 5 vite e 4 muaj burg

Julian Pjetri, 7 vite e 6 muaj burg, me gjykim të shkurtuar konvertohet në 5 vite burg

NGJARJA

Atentati ndaj Arjan Ndoj ndodhi më 1 nëntor 2019 në mbikalimin e Shkozetit. Prokurori po udhëtonte me makinë sëbashku me shtetasin Aleksandër Laho, i njohur ndryshe dhe si “Rrumi i Shijakut”. Nga të shtënat, mbeti i vrarë shoferi i Arjan Ndoj, shtetasi Andi Maloku.

Kujtojmë se për këtë ngjarje është dënuar përjetë Redjan Rraja, i cili dyshohet se ka qenë persona që ka qëlluar me breshëri ndaj makinës së Ndojt.

SPAK ka pasur si provë gjurmët e ADN së Redjan Rrajës, të cilat u gjetën në disa sende të ndryshme në automjetin Mercedes-Benz ngjyrë gri që u gjet në fshatin Shkafan të Ishmit.

Profil gjenetik u përftua në një palë syze “Emporio Armani” me inicialet e tij dhe në rrobat, kapuç dhe një palë doreza që u gjetën në makinën tip benz. Gjithashtu policia sekuestroi 136 gëzhoja, dy automatikët dhe një pistoletë që u përdorën në ngjarje.