Ramon Menezes është trajneri i ri i Brazilit. 50-vjeçari do drejtojë përkohësisht kombëtaren, teksa më parë fitoi titull me kombëtaren U-20.
MENEZES EMEROHET TE BRAZILI
Pritej të ishte një emër i madh, por e gjeti në shtëpi. Federata Braziliane e futbollit ka emëruar trajnerin që do marrë drejtimin e skuadrës kombëtare. Ramon Menezes është emëruar në stol për një periudhë të përkohshme, teksa vjen pas eksperiencës pozitive në krye të kombëtares U-20.
Nën drejtimin e përfaqësueses së vogël, 50-vjeçari ia doli të fitojë titullin e Amerikës së Jugut për këtë grupmoshë. Menezes do të ulet në pankinën e Brazilit për ndeshjen miqësore kundër Marokut më 25 mars, por nuk përjashtohet që ai të qëndrojë në stol më gjatë.
Ky emërim nuk ndal punën e zyrtarëve të federatës braziliane. Seleçao kërkon që të gjej një trajner të ri që prej largimit të Tite pas zhgënjimit në Kupën e Botës së Katarit.
Që prej dorëheqjes së tij, Brazili ka kontaktuar emra të njohur të trajnimit botëror si Carlo Ancelotti, Luis Enrique, Jorge Jesus dhe José Mourinho të cilët mbeten ende në garë. Ndërkaq, ata kanë marrë përgjigje negative nga Zinedine Zidane dhe Pep Guardiola, profile që kërkojnë të qëndrojnë sërish ne futbollin europian.