33-vjeçari Andrea Bregasi është vënë në pranga në Durrës teksa lëvizte i armatosur me pistoletë. Ai u kap në lagjen nr. 11 të qytetit bregdetar ku iu gjet arma e zjarrit dhe municioni luftarak që posedohej pa leje.
Pas verifikimeve rezultoi se Bregasi ishte në kërkim nga Policia e Tiranës për vrasje të mbetur në tentativë. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur vitin e kaluar në zonën e Don Boskos në Tiranë.
Ai qëlloi me armë në drejtim të makinës që drejtonte Rudolf Zefi, ndërsa pasagjerë ishin dy vëllezërit e tij. Fatmirësisht Zefi shpëtoi pa lëndime dhe denoncoi rastin në polici. Pas ngjarjes, Bregasi u shpall në kërkim, ku madje policia vendosi 5 mijë euro shpërblim për kapjen e tij.
Andrea Bregasi rezulton të jetë i dënuar më parë për grabitje me armë në një argjendari. Ai është liruar nga burgu në Dhjetorin e 2022 pas përfundimit të dënimit.
Gjatë këtij operacioni, në hyrje të një pallati në lagjen nr. 11, u arrestua në flagrancë Andrea Bregasi. 33 vjeç, banues në Tiranë. Nga kontrolli në çantën e 33-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, që posedohej pa leje. Në vijim, pas verifikimeve rezultoi se shtetasi ishte në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë” informoi sot policia e Durrësit.
Operacini u krye nga Komisariati i Policisë Durrës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës