Arrestohet 51-vjeçari që kërcënoi të vriste fqinjin me armë zjarri

Një 51-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë së Vlorës.

 

Blutë njoftojnë se 51-vjeçari kishte kërcënuar fqinjin e tij se do ta vriste me armë zjarri.

 

Njoftimi:

Falë ndërhyrjes në kohë dhe veprimeve profesionale të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, u parandalua një krim që mund të kishte pasoja të rënda për jetën.

 

Arrestohet 51-vjeçari që kërcënoi të vriste fqinjin me armë zjarri.

Sekuestrohet një armë zjarri kallashnikov dhe fishekë në banesën e të dyshuarit.

 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, pas informacionit të marrë se një shtetas posedonte armë zjarri dhe kishte konflikt me fqinjin e tij, konflikt ky që kishte arritur në kërcënime serioze për jetën, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Strike 21”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

 

E. B., 51 vjeç, banues në Vlorë.

 

Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri kallashnikov, të fshehur në një fuçi, së bashku me dy krehëra dhe 75 fishekë.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.