Arrestohen dy punonjës policie, një doganier, dy shtetas dhe shpall në kërkim një tjetër punonjës policie

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë – Gjirokastër) ka zbatuar Urdhërat e ndalimit caktuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër ndaj:

Kryekomisar Alfred Kondi, me detyrë Shef i Sektorit të Krimit të Organizuar në DVP Gjirokastër, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Shpërdorim i autoritetit policor” kryer në bashkëpunim.

N / Komisar Xhevit Dine, me detyrë Specialist në Seksionin e Inteligjencës dhe Arkivës Kriminale, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim.

Inspektor Feim Onjea, me detyrë Trupë Shërbimi Operacional në forcën e posaçme Shqiponja, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Shpërdorim i autoritetit policor” kryer në bashkëpunim. Aktualisht i shpallur në kërkim.

Shtetasit Bledar Mustafaraj, me detyrë doganier, niveli C2 në degën doganore Kakavijë, i dyshuar për veprave penale “Falsifikim i dokumentave” dhe “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.

Shtetasi Ilir Muho., i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve” kryer në bashkëpunim.

Shtetasi Kleodor Kazo, i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve” kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet disa mujore me metoda speciale u dokumentua me prova ligjore përfshirja e shtetasve në veprën penale të trafikimit të emigrantëve të paligjshëm, favorizimin e shtetasve të ndryshëm në kontrabandimin e mallrave dhe organizimin e lojrave të fatit në formën e basteve sportive, me qëllim përfitimin në mënyrë të paligjshme të vlerave monetare.

Gjithashtu u provua se punonjësit e policisë duke shfrytëzuar funksionin organik dhe atributet që ju jep detyra, në periudha të ndryshme kanë ndikuar në lejimin e ushtrimit të aktiviteteve të paligjshme nga shtetas të ndryshëm.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një automjet tip ML dhe katër aparate celular.