Apeli i GJKKO ul dënimet për “grupin e zjarrit” në Lazarat

Gjykata e Posaçme e Apelit ka ulur dënimet për të ashtuquajturin “grupi i zjarrit” në Lazarat, i cili ishte dënuar në total me 52 vite burg për ngjarjet e vitit 2014, ku mbeti i vrarë efektivi i policisë Ibrahim Basha.

Vendimi fillestar i 21 majit 2019, i dhënë nga ish-Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, është ndryshuar, duke reduktuar dënimet e disa prej të akuzuarve dhe pushuar çështjen për një tjetër.

Togat e zeza dënuan përfundimisht:

-Arbjon Aliko me 10 vite burg (nga 13 vite që ishte dënuar më parë).

-Gurgaz Skënderi me 8 vite burg (nga 11 vite të mëparshme).

-Enrik Skënderi me 8 vite burg (nga 10 vite të mëparshme).

-Alfred Proko me 9 vite burg (nga 10 vite të mëparshme, i dënuar në mungesë).

Ndërkohë, Apeli i Posaçëm ka prishur vendimin e ish-Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda për shtetasin Beqo Brahimi, i cili ishte dënuar me 8 vite burg për “prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Gjykata vendosi pushimin e çështjes ndaj tij për këto akuza, pasi Brahimi është dënuar më parë me vendim të formës së prerë për të njëjtat vepra penale.