Albin Kurti paralajmëron për sulme të reja në veri: Mund të ndodhin para dhe pas Vitit të Ri

Kryeministri  i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se priten të ndodhin sulme të reja në veri të vendit, para dhe pas Vitit të Ri.

“Këso metodash të sfidimit të sigurisë në Kosovë, të cilat për pasojë kanë jo vetëm cenimin e dëmtimin e infrastrukturës vitale, shkaktimin e incidenteve ndëretnike të cilat Serbia i nxit fort, pastaj shkaktimin e panikut në mesin e qytetarëve, e krejt në fund, edhe krijimin e një imazhi të një vendi jostabil pritet të ndodhin edhe në të ardhmen e afërt dhe veçmas para dhe pas Vitit të Ri. Këto sulme mund të synohen të realizohen varësisht prej interesave politike të kreut të shtetit serbë, posaçërisht për protestat e vazhdueshme opozitare atje”, ka thënë ai.

Kurti ka deklaruar më tej se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara t’i neutralizojnë maksimalisht këto metoda.

“…përkundër faktit se sulmet e tilla terroriste janë sfiduese edhe për shtete të fuqishme, veçmas nëse këto sulme e kanë mbështetjen dhe sponsorizimin e një shteti tjetër, në këtë rast si Serbia”, ka shtuar Kurti.