83 viktima në tragjedinë e Otrantos, familjarët i kujtojnë me dhimbje edhe pas 28 vitesh
Sot mbushen 28 vite nga tragjedia e Otrantos, një nga ngjarjet më të dhimbshme për shqiptarët, ku humbën jetën 83 persona. Si çdo vit, familjarët e viktimave janë mbledhur për të nderuar kujtimin e tyre, duke vendosur kurora dhe buqeta me lule në varrezat që përkujtojnë këtë tragjedi.
Të afërmit e viktimave shprehen se kjo ngjarje duhet të ketë më shumë vëmendje dhe përkujdesje institucionale, qoftë edhe me një ceremoni të thjeshtë, për të nderuar ata që humbën jetën në kërkim të një jete më të mirë.
Tragjedia e 28 marsit 1997
Ngjarja e rëndë ndodhi më 28 mars 1997, kur anija “Kateri i Radës”, me 142 persona në bord të nisur nga brigjet e Vlorës, u godit nga anija italiane “Sibila” në ujërat e Otrantos. Përplasja tragjike shkaktoi fundosjen e anijes dhe humbjen e jetës së 83 personave, mes tyre shumë të rinj dhe fëmijë.
Kjo mbetet një nga tragjeditë më të rënda në historinë e emigracionit shqiptar, e cila vijon të kujtohet me dhimbje nga familjarët dhe mbarë shoqëria.