66 viktima nga tragjedia në resortin e skive në Turqi/ Dëshmitë rrëqethëse: Ulërima për ndihmë, njerëzit u hodhën nga dritaret për t’i shpëtuar flakëve!

Zjarri shkatërrimtar që përfshiu resortin e skive Kartalkaya në provincën Bolu, Turqi, ka lënë pas 66 viktima dhe 51 të plagosur, duke tronditur mbarë vendin. Ministri i Brendshëm, Ali Gerlikaya, konfirmoi bilancin tragjik, ndërsa ministri i Shëndetësisë, Kemal Memisoglu, njoftoi se një prej të plagosurve ndodhet në gjendje kritike.

Zjarri shpërtheu në katin e katërt të hotelit në orën 03:30 të mëngjesit, duke zënë në befasi shumicën e pushuesve, të cilët ishin në gjumë. Hoteli me 161 dhoma u përfshi shpejt nga flakët, për shkak të izolimit prej druri, duke e bërë të pamundur evakuimin e shpejtë të vizitorëve.

Dëshmi tronditëse nga tragjedia

Baris Salgur, një punonjës i një resorti pranë vendit të tragjedisë, tha për mediat turke:

“Pashë njerëz që bërtisnin nga dritaret. Para se të arrinte zjarrfikësja, dy gra u hodhën nga katet e sipërme. Ishte një tmerr i papërshkrueshëm.”

Instruktori i skive Nejmi Kepcetutan, i cili shpëtoi rreth 20 njerëz, tha se situata ishte kaotike:

“Tymi ishte mbytës dhe njerëzit nuk mund të gjenin daljet e emergjencës.”

Një tjetër dëshmitar, Ali Atmaja, tregoi për përpjekjet heroike për të shpëtuar ata që po hidheshin nga dritaret:

“Ne vendosëm shtresa, por me gjithë përpjekjet tona shumë njerëz humbën jetën para syve tanë.”

Hetimet dhe arrestimet

Prokuroria e Bolus ka nisur një hetim të gjerë për të përcaktuar shkaqet e tragjedisë. Në kuadër të hetimeve janë arrestuar katër persona, përfshirë pronarin e resortit. Ekipet hetimore po shqyrtojnë të gjitha rrethanat që çuan në këtë ngjarje të rëndë, ndërsa Presidenti Rexhep Tajip Erdogan shprehu keqardhjen e tij të thellë për humbjen e jetëve dhe premtoi drejtësi.

“Hetimet do të vazhdojnë pa ndërprerje për të vendosur përgjegjësitë dhe për të siguruar që një tragjedi e tillë të mos ndodhë më,” theksoi Erdogan.

Ngjarja ka tronditur Turqinë, ndërsa kombi vazhdon të qajë viktimat e kësaj tragjedie që ka lënë pas dhimbje dhe zemërim të thellë.