Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, është sot i pranishëm në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës për 25-vjetorin e çlirimit.
Sot nderojmë Ibrahim Rugovën, arkitektin e Pavarësisë së përjetshme të Kosovës, simbolin e rezistencës paqësore, elitës intelektuale, që me filozofinë e tij të paqes vendosi çështjen e Kosovës në të gjitha kancelaritë perëndimore. Sot nderojmë Adem Demaçin, veprimtarin qëndrestar të çështjes kombëtare, i palodhur në betejën e tij për mbi pesë dekada, sfiduesin lapidar të 28 viteve në burgjet e ish-Jugosllavisë. Sot përulemi përpara Jasharëve, familjes simbol të martirizimit për Kosovën e pavarur, flakadanë të lirisë së saj. Nderojmë kryetrimin Adem Jashari, legjendë e gjallë e atdhedashurisë. Burra të tillë rrallë i lind historia. Sot është dita të kujtojmë të gjithë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata që i falën Kosovës së lirë e të pavarur jetën dhe ata që amanetin e bashkëluftëtarëve ua transmetuan brezave të rinj: Liria nuk është dhuratë. Ajo duhet të mbrohet”.
Kosova nuk ishte vetëm, tha më tej Begaj, duke kujtuar shqiptarët nga Shqipëria dhe e gjithë Shqipëria dhe Diaspora, iu bashkuan luftës, ndërsa ndërhyrja e bashkësisë ndërkombëtare “ndaloi spastrimin etnik, gjenocidin, dhe i dha të drejtë shpirtit të një populli qëndrestar që kërkonte një të drejtë të mohuar; lirinë”.