Dhunuan agjentët e BKH-së dhe forcat operacionale, arrestohen dy nipërit e Agron Kapllanajt! Zbardhen emrat e të ndaluarve

Janë zbardhur emrat e tre personave të arrestuar pas përplasjes së ndodhur pasditen e së martës, më 15 prill, në aksin rrugor Fier – Patos, ku u përfshinë të afërm të Agron Kapllanajt dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), së bashku me forcat operacionale të Policisë së Shtetit.

Të ndaluarit akuzohen për veprën penale “goditje për shkak të detyrës”, pasi dyshohet se kanë sulmuar fizikisht agjentët e BKH-së dhe shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.

Të arrestuarit janë:

-Ledjan Kapllanaj, nipi i Agron Kapllanajt

-Klaudio Kapllanaj, nipi i Agron Kapllanajt

-Gerald Kollçaku

Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Shtetit, incidenti ndodhi rreth orës 19:20 në rrugën Fier – Patos, gjatë një operacioni hetimor të agjentëve të BKH-së dhe forcave speciale, të cilët ndodheshin në Fier për veprime të planifikuara hetimore.

“Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, së bashku me hetuesit e BKH-së, pasditen e sotme kanë qenë me shërbim në qarkun e Fierit. Rreth orës 19:20, në aksin rrugor Fier – Patos, shërbimet janë goditur për shkak të detyrës nga disa persona, të cilët janë identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier për veprime të mëtejshme,” – thuhej në deklaratën zyrtare.

Agron Kapllanaj, që aktualisht kandidon për deputet me partinë “Djathas 1912”, nuk ka bërë ende asnjë reagim publik lidhur me incidentin ku u përfshinë nipërit e tij.