“Gjoba do vijë me fytyrën e secilit”, Rama: Kamerat në çdo aks do zëvendësojnë policët në rrugë

Teksa prezantoi programin e infrastrukturës, kreu i PS premtoi lehtësim të qarkullimit rrugor falë ndërtimit të ‘Qendrës së Monitorimit të Trafikut’.

Sipas Ramës, të gjithë drejtuesve do u vijë gjoba në telefonin e tyre, e shoqëruar dhe me fytyrën e secilit. Rama theksoi se kamerat e vendosura nga investimi i ri, do të heqin nga akset kombëtare policët që rrinë në rrugë.

‘Edhe një gjë tjetër me atë qendrën e monitorimit të trafikut, sepse ajo është pjesë e gjithë kësaj. Përsëri është e paplotë. Qendra e Monitorimit të Trafikut është gati dhe po bëhet një punë për të trajnuar stafin. Do lidhet me projektin që ne kemi nënshkruar me Emiratet e Bashkuara, për të pasur gjithë territorin, spitalet, shkollat, institucionet publike dhe akset kombëtare në një sistem kamerash inteligjente, i cili do jetë dhe do shohë gjithë Shqipërinë në kohë reale. Sistemi është i tillë dhe do sinjalizojë këtu për një rritje shpejtësie, do sinjalizohet këtu, nuk do ketë më policë në rrugë. Punonjësit e policisë do jenë të organizuar në një mënyrë tjetër. Sistemi i kontrollit në kohë reale të shpejtësisë do bëjë që gjobat të jenë të menjëhershme dhe ajo që po bëjmë ne është që gjoba të vijë në telefonin tënd në një kohë reale.’-tha Rama.