Apeli i GJKKO rrëzon kërkesën e Ajola Xoxës, bashkëshortja e Veliaj kërkoi …

Apeli i Gjykatës së Posaçme ka rrëzuar kërkesën e Ajola Xoxa, bashkëshortes së kryebashkiakut Erion Veliaj, për të anuluar sekuestrimin e celularit të saj.

Me këtë mënyrë, Apeli lë në fuqi masën e dhënë nga shkalla e parë, duke i dhënë të drejtë kërkesës së prokurorisë për të sekuestruar pajisjen si pjesë e hetimeve në vijim.

Njoftimi i plotë:

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 15.04.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 92, datë 08.04.2025 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankueses A.X., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 93, datë 20.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, mbi kundërshtimin e vendimit të prokurorit për sekuestrimin e sendeve”, dhe vendosi:

Miratimin e vendimit 93 Akti, datë 20.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij”, thuhet në vendim.

Xoxa është në hetim për kryerjen e veprës penale të “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 260 e 25, 287/2 dhe 257/a/2 i Kodit Penal.