Përplasje e përgjakshme mes vëllezërve në Fier-Seman! 50-vjeçari qëllon me armë ndaj të vëllait dhe zhduket pas ngjarjes

Një sherr mes dy vëllezërve ka përfunduar në përdorim armësh zjarri në mbrëmjen e së martës në Fier-Seman, në njësinë administrative Gradishtë, bashkia Divjakë. Dy vëllezërit, Zarif dhe Shpëtim Konja, janë konfliktuar fillimisht me grushte, por situata ka dalë jashtë kontrollit kur Zarifi ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të vëllait.

Fatmirësisht, të shtënat nuk kanë prekur fizikisht Shpëtimin, ndërsa pas ngjarjes, Zarif Konja është larguar nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht ndodhet në kërkim. Policia ka sekuestruar një armë gjahu tip karabinë dhe katër gëzhoja të zbrazura në vendin e ngjarjes. Si pasojë e të shtënave, është dëmtuar një automjet i parkuar dhe një tendë lavazhi pranë rrugës.

Ndërkohë, policia ka shoqëruar Shpëtim Konjën për të sqaruar rrethanat e konfliktit, ndërsa po merren në pyetje edhe dëshmitarë të tjerë të cilët ndodheshin pranë ngjarjes. Grupi hetimor vijon punën për të kapur autorin dhe për të dokumentuar plotësisht ngjarjen.