Puna në të zezë ‘gërryen’ pensionet! 80% e pensioneve të reja janë të pjesshme, shumica nën 20% të pagës mesatare
Puna e padeklaruar dhe pagat fiktive po godasin fort xhepat e qytetarëve në moshë pensioni. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë një realitet alarmant: nga 40 mijë pensione të reja të lidhura gjatë vitit 2024, rreth 32 mijë prej tyre – ose 80% – rezultojnë të jenë pensione të pjesshme, për shkak të mungesës së viteve të deklaruara të punës dhe kontributeve të munguara.
Gjatë vitit të kaluar, periudha mesatare e sigurimeve për pensionet e reja ishte vetëm 27 vite, ndërsa për të përfituar një pension të plotë nevojiten 38 vite e 4 muaj – që për vitin 2025 është rritur në 38 vite e 8 muaj. Kjo diferencë ndikon direkt në vlerën e përfitimeve: pensioni mesatar për të sapodalurit në pension është rreth 160 euro, më pak se 20% e pagës mesatare në vend dhe vetëm 40% e pagës minimale.
Sot në Shqipëri numërohen rreth 721 mijë pensionistë, nga të cilët 607 mijë janë pensione pleqërie. Vetëm 290 mijë marrin pension të plotë, ndërsa 316 mijë – ose 52% e totalit – jetojnë me pensione të pjesshme.
Në vend që pensionet e reja të ishin më të larta, si pasojë e rritjes së pagave dhe deklarimit në sistem bankar, ato po rezultojnë më të ulëta se parashikimet. Arsyeja? Fshehja e pagës reale nga punëdhënësit, që çon në kontribute të reduktuara dhe pasoja të drejtpërdrejta për përfitimet e pleqërisë.
Sipas skemës aktuale, qytetarët duhet të kenë minimalisht 15 vite të sigurimeve për të përfituar një pension pleqërie, ndërsa ata që nuk plotësojnë këtë kusht, mund të përfitojnë pension social në moshën 70-vjeçare, i cili aktualisht është vetëm 100 euro në muaj.