Zbulohet “shtëpia e barit” në Itali, arrestohen një shqiptar dhe një italian në Pinerolo

Policia italiane ka zbuluar një laborator të madh për kultivimin e kanabisit në zonën e Pinerolos, ku janë arrestuar në flagrancë dy persona: një shtetas shqiptar 43 vjeç dhe një italian 34 vjeç. Ata akuzohen për kultivim dhe posedim të lëndëve narkotike si dhe për vjedhje të energjisë elektrike.

Hetimet kishin nisur pas dyshimeve të ngritura nga policia mbi disa ndërtesa brenda një kompleksi bujqësor në komunën e Pinerolos. Dritaret e godinave ishin gjithmonë të mbyllura dhe të mbuluara me grila, ndërsa lëvizjet e dyshuara të personave brenda objektit shtuan dyshimet për një aktivitet të paligjshëm.

Gjatë operacionit, në ambientet e brendshme të kompleksit u zbuluan 5 dhoma dhe një verandë të përshtatura për kultivimin e kanabisit, ku u gjetën mbi 700 bimë marijuanë dhe rreth 15 kilogramë lëndë narkotike e tharë, gati për shpërndarje.

Policia konstatoi gjithashtu një pajisje të sofistikuar me qindra llamba halogjene për ngrohje dhe ndriçim, si dhe një sistem të avancuar ventilimi për kontrollin e kushteve klimaterike. U zbulua edhe një lidhje e paligjshme me rrjetin elektrik, me kabllo të shumta të degëzuara, që llogaritet se shkaktonin një konsum energjie me vlerë prej rreth 350 deri në 400 euro në ditë.

Të arrestuarit janë vënë në dispozicion të autoriteteve për vijimin e hetimeve, ndërsa hetuesit po analizojnë lidhjet e mundshme me rrjete më të gjera kriminale të përfshira në kultivimin dhe trafikimin e drogës.