Aksidenti në Rrugën e Arbërit, i paralajmëruar/ Të pathënat e ngjarjes tragjike
Nga Aida Topalli
Aksidenti tragjik i mbrëmjes së 4 janarit, ku humbën jetën 3 persona dhe u plagosën rëndë 4 të tjerë, ishte i paralajmëruar.
Që nga deklaratat e njëpasnjëshme të deputetit të Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, tek aksidentet e mëparshme e deri tek shkresat e Policisë Rrugore të qarkut Dibër, drejtuar kompanisë ‘Gjoka Construction’, apo edhe nënkotraktorit të aksit, Musë Selami.
Përveç viktimave, apo personit të arrestuar si shkaktar i aksidentit, kjo ngjarje nuk fillon dhe nuk mbaron këtu. Është një zinxhir i tërë që duhet të mbajë përgjegjësi. Dhe ky zinxhir nuk nis as me shoferët dhe as me efektivët e qarkullimit rrugor.
Aksi Bulqizë – Maqellarë, si dhe e gjithë Rruga e Arbërit, ka mungesë ndriçimi. Kjo është lehtësisht e verifikueshme, me një survejim që mund të bësh. Sinjalistika nga ana tjetër, është e padukshme dhe thuajse inekzistente. Ndërsa në pjesë të caktuara të kësaj rruge, ka rrëshkitje të karrexhatës. Mjafton të kalosh në fshatin Shkallë për ta kuptuar këtë gjë.
Burime të sigurta thanë për ‘replika.al’, se nga zyra e Qarkullimit Rrugor të Drejtorisë Vendore të Qarkut Dibër, kanë dalë shkresa të herëpashershme ku i kërkojnë firmës ndërtuese dhe asaj nënkontraktuese të kësaj rruge, marrjen e masave për sinjalistikën e nevojshme, por deri më sot, nuk është bërë asgjë.
Fatkeqësisht, duket se u desh të ndodhte edhe kjo tragjedi, që sytë dhe vëmendja e hetuesve të kthehej nga ky investim miliarda eurosh.
Por a bëri drejtësia punën e saj siç duhet?
Natën e ngjarjes, shërbimet e policisë rrugore, kanë thërritur për të marrë në pyetje, vartësit e Musë Selamit, nënkontraktorit të ‘Gjoka Construction’. A e dini se çfarë ka ndodhur? Ajo që ndodh rëndom në Shqipëri, askush nga kompania nuk shkoi të jepte asnjë sqarim.
Ishte prokurori Urim Kalia, ai që ka marrë përsipër marrjen në pyetje të tyre, duke penguar kështu procedurat paraprake të policisë. Pra, deri në këtë moment, asnjë përgjegjës ligjor nuk ka dalë përpara drejtësisë për të dhënë një përgjigje.
Nga ana tjetër, duket se Drejtori i Drejtorisë Vendore të Qarkut Dibër, Dhimitraq Ziu ka gjetur përgjegjësin e kësaj tragjedie. Duke pezulluar nga detyra vartësin e tij, me detyrë shef sektori për qarkullimin rrugor.
Me logjikë të thjeshtë, një efektiv policie nuk ka në dorë as të vërë ndriçim në rrugë, as të hapë apo të mbyllë rrugët e reja.
Detyra e tij është të kërkojë tek kontraktuesit rregullimin e problematikave, gjë që është bërë.
Atëherë, përse duhet të bëhen këto veprime radikale ndaj njerëzve që janë të fundit që kanë të bëjnë me situata të tilla? A nuk do të ishte më mirë që drejtori i Dibrës, të bashkëpunonte me prokurorin dhe ta bindte atë që përfaqësuesit e firmave duhet të merren në pyetje një orë e më parë?
Përsa kohë përgjegjësia do të hidhet mbi supet e njerëzve të gabuar, në këtë vend nuk do të kemi kurrë drejtësi. E për fat të keq, vit pas viti, numri i viktimave do të njohë vetëm rritje.
Vijon…