Vlorë/ Vodhën një market, arrestohen dy të rinj, në hetim një 16-vjeçar

Policia e Vlorës ka finalizuar me sukses një operacion hetimor për zbardhjen e një vjedhjeje të ndodhur në orët e para të mëngjesit të 16 shkurtit, në lagjen “29 Nëntori”. Tre të rinj janë identifikuar si autorë të vjedhjes së një shume prej 20 000 lekësh nga një market, pasi kishin thyer xhamat për të hyrë brenda.

Si rezultat i veprimeve hetimore, uniformat blu arrestuan 26-vjeçarin G. M. dhe një 17-vjeçar, ndërsa një 16-vjeçar u procedua në gjendje të lirë. Ata akuzohen për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

Policia po vijon hetimet për të zbuluar nëse të rinjtë janë të përfshirë edhe në raste të tjera vjedhjeje. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.