Vetëdorëzohet në polici edhe e motra e ish-boksierit Besar Nimanit, ja për çfarë dyshohet

Çështja e Bielefeldit duket se po merr një kthesë të re. Sot është vetëdorëzuar në Policinë gjermane edhe e motra e boksierit shqiptar të vrarë një vit më parë. Azize Nimani, sikurse vëllai i saj Berat Nimani, akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë kundrejt 4 personave.

Sipas mediave gjermane, motra e boksierit të vrarë është dorëzuar në Polici bashkë me avokatin e saj. Por ashtu si vëllai i saj Berati, edhe 33-vjeçarja deri tani ka heshtur për akuzat. Ajo u shpall në kërkim pasi dëshmitarët thanë se brenda makinës nga e cila u qëllua me armë zjarri, ishte dhe një grua. Ndaj dyshohet se personi në fjalë është motra e boksierit. Deri në sqarimin e rrethanave të plota të ngjarjes,  ajo do të mbahet në ambientet e paraburgimit.

Kush është Azize Nimani?

Edhe Azizja, si i vëllai merrej me sportin e boksit.  Azize Nimani ka përfaqësuar disa herë Gjermaninë ndërkombëtarisht, duke fituar edhe medalje të rëndësishme.

Por çfarë ndodhi në gjyqin për vrasjen e boksierit?

Kur po mbushet viti nga ekzekutimi i boksierit shqiptar, në Gjykatën e Bielefeldit po mbahej gjyqi për një nga autorët e vrasjes së tij; kjo pasi autori tjetër është ende në kërkim. Në mes të seancës, vëllai dhe motra e të ndjerit ikin nga sallë. Kur gjyqi përfundon, nga një makinë qëllohet disa herë me armë zjarri. Të plagosur mbetën 4 persona, mes të cilëve babai dhe vëllai i të pandehurit. Të katër të plagosurit janë aktualisht në gjendje të qëndrueshme. Ndërkohë, Policia po punon për zbardhjen e ngjarjes pasi dyshon se vëllai dhe motra e të ndjerit po kërkojnë të bëjnë vetëgjyqësi.