SKY ECC shkatërron një tjetër grup kriminal, 78 të arrestuar në Itali e Spanjë si pjesë e bandës së shqiptarëve

Europol në bashkëpunim me Guardia di Finanza dhe Policinë Rajonale Katalane spanjolle (Mossos d’Esquadra) çmontuan një rrjet të madh kriminal që qëndron pas disa tonëve marinuanë që trafikoheshin në BE. Hetimi, i mbështetur gjithashtu nga Eurojust, i dha një goditje rrjetit të pastrimit të parave që pastronte të ardhurat e paligjshme. Gjatë operacionit janë arrestuar 58 persona në Itali dhe 20 në Spanjë, janë kryer 104 kontrolle në shtëpi (89 në Itali dhe 25 në Spanjë) dhe janë sekuestruar 350 kg kanabis (327 hashash dhe 33 kg marijuanë), armë, pajisje elektronike, dokumente dhe pasuri me vlerë 845 000 euro.

Rrjeti kriminal ishte goditur tashmë në nëntor 2022, kur Europol mbështeti një aksion të koordinuar që çoi në arrestimin e 36 të dyshuarve me kombësi shqiptare, italiane dhe spanjolle në Itali. Autoritetet holandeze dhe spanjolle arrestuan gjashtë të dyshuar të tjerë përmes ekzekutimit të urdhër-arresteve evropiane. Vetëm ndërmjet viteve 2019 dhe 2021, autoritetet e zbatimit të ligjit në Itali dhe Spanjë sekuestruan më shumë se gjashtë tonë kanabis dhe hashash, si dhe mbushëse për cigare elektronike me bazë kanabinoid. Hetimet penale u nisën në vitin 2019 në Itali dhe 2022 në Spanjë, ndërsa lidhjet u krijuan ndërsa hetimet dhe bashkëpunimi ndërkombëtar përparonin. U zbulua se të dyshuarit kishin mundësuar logjistikën pas operacionit të trafikimit nëpërmjet përdorimit të platformave të koduara të komunikimit Sky ECC dhe Encrochat.

Shtetasit marokenë me bazë në Spanjë rregulluan dërgesat e drogës në Spanjë dhe dërgimin e tyre të mëpasshëm në shpërndarës të ndryshëm në Itali. Aktorë të ndryshëm lehtësuan furnizimin e përgjithshëm dhe procesin logjistik të rrjetit: nga grumbullimi, ruajtja, transportimi dhe shpërndarja e kanabisit deri te pagesat dhe aktivitetet e pastrimit të parave. Pagesat për dërgesat e drogës u organizuan nëpërmjet një sistemi bankar informal të ngjashëm me hawala të njohur si fei-ch’ien. Ky sistem bankar i nëndheshëm drejtohet kryesisht nga shtetas kinezë dhe lejon transferimin e parave të gatshme nga një vend në tjetrin përmes një rrjeti zyrash të besuara. Paratë nuk dërgohen fizikisht, përkundrazi zyrat kompensojnë njëra-tjetrën më pas. Nga hetimet u zbuluan dy rrjete të veçanta, njëri që merrej me trafikun e drogës dhe tjetri me veprimtarinë e pastrimit të parave. Edhe pse të ndryshme, rrjetet janë të lidhura nëpërmjet drejtuesve të tyre. Hetimet financiare dhe të rikuperimit të aseteve janë ende në vazhdim.