SKANDALI/ Skuterat e BinBin karikohen në shtyllën elektrike në mes të Tiranës! Bashkia dhe OSHE flenë gjumë apo i tremben kompanisë?
Një skuter elektrik i kompanisë BinBin është fotografuar i lidhur për karikim direkt në një shtyllë ndriçimi publike. Ngjarja ka ndodhur në rrugën Muhamet Gjollesha pasditen e të hënës.
Ngjarja ka ngjallur shqetësim dhe reagime në rrjetet sociale, ku qytetarët e kanë dërguar foto në redaksinë e Replikë.al duke e cilësuar si abuzim me infrastrukturën publike dhe shkelje të etikës qytetare.

Skuterat e BinBin
Aktualisht, Shqipëria nuk ka ende një kuadër të plotë ligjor për përdorimin dhe operimin e skuterëve elektrikë, çka krijon një vakum ligjor që kompani si BinBin e shfrytëzojnë për të vepruar pa asnjë mbikëqyrje.
Ndërkohë që qytetarët e Tiranës herë pas here përballen me mungesë e energjisë elektrike por edhe të rregullave për përdorimin e këtyre mjeteve në rrugë, raste si ky e vënë në pikëpyetje përgjegjësinë e kompanisë që i ofrojnë këto shërbime në hapësirat publike por edhe të bashkisë së Tiranës me të cilën kreu një marrveshje rreth një vit më parë.
Ky është një skandal ku përdorimi i energjisë nga ndriçimi publik bëhet për karikimin e pajisjeve komerciale dhe kjo përbën vepër penale, sipas ligjeve ekzistuese për vjedhjen e energjisë elektrike.
Nëse vërtetohet se kompania ka urdhëruar apo lejuar praktika të tilla, ajo mund të përballet me gjoba administrative apo edhe ndjekje ligjore.
Por ku janë institucionet? A po mbyllin sytë përballë kompanisë Bin Bin? Pse nuk reagon bashkia e Tiranës që publikoi ardhjen e Bin Bin si një arritje revulucionare në rrugët e Tiranës.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, kompania BinBin nuk ka dhënë një reagim zyrtar mbi incidentin. Ndërkohë, Bashkia e Tiranës dhe OSHEE nuk kanë bërë ende të ditur nëse do të ndërmarrin ndonjë masë apo hetim mbi rastin.
Sipas të dhënave të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve (QKB) të Shqipërisë, kompania BINBIN ALBANIA MOBILITY është regjistruar me NIPT M32321029M dhe është themeluar më 10 nëntor 2023. Administratori i kësaj shoqërie është Mudzahid BESLIJA .